Mesazhet tekstuale ndihmojnë në parandalimin e obezitetit tek fëmijët, zbulon një studim i ri

Një studim i realizuar nga Universiteti prestigjioz Johns Hopkins ka zbuluar se dërgimi i këshillave ushqyese përmes mesazheve tekstuale tek prindërit mund të luajë një rol kyç në parandalimin e obezitetit tek fëmijët deri në moshën 2-vjeçare.
Sipas të dhënave të studimit, norma e obezitetit tek fëmijët që prindërit e tyre morën këto mesazhe u ul nga 13% në vetëm 7%. Përmbajtja e mesazheve përfshinte inkurajimin për konsum të ujit dhe qumështit, në vend të pijeve me sheqer, si dhe kufizimin e kohës së kaluar para ekranit.
Ky model komunikimi paraqitet si një zgjidhje e thjeshtë, me kosto të ulët dhe efektive, që mund të përmirësojë ndjeshëm shëndetin e hershëm të fëmijëve, duke ndikuar pozitivisht në stilin e jetesës së tyre që në fazat e para të zhvillimit.