Kosova

Mërgata, shtylla e ekonomisë: Mbi 530 milionë euro të dërguara në Kosovë vetëm në 5 muaj

Mërgata vazhdon të luajë një rol jetik për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, diaspora ka dërguar mbi 530 milionë euro në vend, duke shënuar një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në janar janë regjistruar 86.1 milionë euro dërgesa nga emigrantët, ndërsa në maj kjo shumë ka arritur në 126.6 milionë euro. Gjermania, Zvicra, Italia dhe Austria janë ndër vendet nga ku vijnë më së shumti remitencat.

Për sektorin e hotelerisë dhe turizmit, ardhja e mërgimtarëve është konsideruar një “infuzion jetik” për bizneset vendore. Nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit bëjnë të ditur se që nga data 26 korrik ka filluar një rritje e ndjeshme e fluksit të punës, për shkak të ardhjes së mërgimtarëve që po i kalojnë pushimet në Kosovë.

Njohës të ekonomisë theksojnë rolin kyç të diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit. Albulenë Kastrati, ligjëruese universitare në SHBA, sugjeron se Kosova duhet të organizojë aktivitete të mirëstrukturuara për mërgatën dhe të hartojë politika konkrete për tërheqjen e investimeve nga ajo.

Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thekson se investimet e huaja po shfaqin një trend të qëndrueshëm, çka sipas tyre dëshmon për rritjen e besimit të investitorëve në ekonominë e vendit.

Kontributi i diasporës, jo vetëm në remitenca por edhe në konsumin sezonal dhe investimet potenciale, po e përforcon pozitën e saj si një prej shtyllave kryesore të ekonomisë së Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button