Kosova

Memli Krasniqi takohet me presidenten Vjosa Osmani në Presidencë në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pritet të mbërrijë në Presidencë sot në orën 13:30 për një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Këto takime po zhvillohen në vazhdën e përpjekjeve të presidentes për të lehtësuar konstituimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve.

Fillimisht, Osmani ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërsa aktualisht është në bisedime me të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. Megjithatë, është bërë e ditur se takimi me Prattipatin nuk lidhet me konsultimet me liderët partiakë.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, partitë e tjera politike po zhvillojnë takime të ndara me presidenten, të cilat pritet të zgjasin deri në orën 16:00.

Ndryshe nga takimi i mëparshëm më 15 maj, kur Osmani kishte pritur së bashku liderët e partive shqiptare dhe më pas ata të komuniteteve joshumicë, këtë herë takimet po zhvillohen individualisht me secilin lider.

Megjithatë, edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i Kuvendit po hasë pengesa, ndërsa dje dështoi për të 40-ën herë.

Lëvizja Vetëvendosje insiston se vendimi i Kushtetueses i jep të drejtë atyre për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa partitë tjera thonë se duhet të aplikohet votimi i hapur, sipas interpretimit të Kushtetueses.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button