Kosova

Albin Kurti premton përkushtim maksimal për konstituimin e Kuvendit brenda fundit të korrikut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjë çdo përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit ligjor, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Kurti tha se në takim janë diskutuar gjatë situata politike dhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili detyron deputetët që brenda 30 ditëve nga data e seancës konstituive ta përfundojnë këtë proces, më së largu deri më 26 korrik.

“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet të kemi konstituimin e legjislaturës së re. Do të bëjmë çmos, në frymën e bashkëpunimit dhe me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë që më pas të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, tha Kurti.

Ai shtoi se gjatë takimit u përmendën të gjitha elementet përbërëse dhe se presidentja Osmani do të vazhdojë takimet me liderët e partive tjera politike për të parë sa përparim është bërë.

Në anën tjetër, presidentja Osmani po vazhdon konsultimet me udhëheqësit politikë dhe pret që partitë ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 30-ditor, siç u shpreh këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Situata në Kuvend mbetet sfiduese, ndërsa qytetarët presin që liderët politikë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të arrijnë marrëveshje për qeverisje stabile.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button