Lajme

Meloni uron Ramën për rizgjedhjen “tërësisht të papritur”: Shqipëria meriton vendin e saj në Evropë

Në fjalimin e saj gjatë Samitit Evropian të zhvilluar në Tiranë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka uruar Edi Ramën për rizgjedhjen e tij si udhëheqës i qeverisë shqiptare, duke e quajtur këtë një rezultat “tërësisht të papritur”.

“Dëshiroj të uroj Edin për rizgjedhjen e tij të papritur si udhëheqës i qeverisë,” tha Meloni, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë si mikpritëse e Samitit për herë të parë. Ajo e cilësoi këtë një moment historik jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për të gjithë Evropën. “Unë gjithmonë kam besuar se identiteti evropian i Shqipërisë është fakt nga historia përpara gjeografisë,” theksoi Meloni.

Duke përmendur rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor në projektin evropian, Meloni deklaroi se nuk mund të ndërtohet një Evropë e re në një botë të re pa këtë rajon. “Italia është e angazhuar në Bruksel për të mbështetur qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor, pavarësisht sfidave,” u shpreh ajo, duke shtuar se këto vende meritojnë një perspektivë të qartë anëtarësimi në BE.

Kryeministrja italiane shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë për Ukrainën, në sfondin e agresionit rus, duke e quajtur këtë konflikt një plagë që po destabilizon rendin ndërkombëtar. “Çdo ditë heroizmi i Ukrainës na kujton themelin e kombeve tona që është liria. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të Ukrainës dhe do të bëjmë çmos që kjo luftë të marrë fund menjëherë,” përfundoi Meloni.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button