Kosova

Më 15 shtator fillon dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë bërë të ditur se më 15 shtator 2025 do të nisë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas njoftimit, dëshmitari i parë do të paraqitet nga ekipi mbrojtës i ish-presidentit Thaçi. Seanca, e cila pritet të jetë kryesisht publike, do të fillojë në orën 09:00 dhe do të transmetohet me një vonesë prej 45 minutash.

DhSK-ja ka bërë të ditur se për shkak të interesimit të madh, pjesëmarrja në galerinë e publikut kërkon regjistrim paraprak në adresën elektronike [email protected]
, ndërsa konfirmimet do të dërgohen jo më vonë se 11 shtatori. Po ashtu, organet e medias duhet të njoftojnë paraprakisht nëse kanë nevojë për vend në qendrën për median.

Një ditë para nisjes së dëgjimeve, më 14 shtator, në Hagë është planifikuar të mbahet një protestë.

Ndërkohë, është caktuar që faza e mbrojtjes të përfundojë më 14 nëntor 2025, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.

Prokuroria kishte mbyllur paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa mbrojtja kishte paraqitur kërkesë sipas Rregullës 130 për rrëzimin e disa akuzave. Trupi gjykues, më 16 korrik 2025, vendosi që të mos mbështetet në pretendimet për krime të supozuara të ndodhura para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button