MDA e vëllait të shefit të stafit të Kurtit fiton tender nga KQZ-ja për spotet zgjedhore

Kompania “Management & Development Associates” (MDA), e cila aktualisht figuron në pronësi të Driton Dalipit – vëllai i shefit të stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti – ka siguruar një kontratë publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar më 28 korrik nga KQZ-ja, MDA është shpallur fituese e tenderit për realizimin e video dhe radio spoteve për edukim dhe informim për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Vlera e kontratës është 13,979.98 euro, ndërsa numri i prokurimit është 320-25-5829-2-2-1.
Procedura e tenderimit ka qenë e hapur dhe janë pranuar gjithsej katër oferta, të gjitha të cilësuara si të përgjegjshme. Oferta e MDA-së rezultoi të jetë më e ulëta krahasuar me konkurrentët e tjerë, çmimet e të cilëve shkonin deri në 19,851 euro.
MDA njihet për bashkëpunime të rregullta me institucione shtetërore për realizimin e fushatave informative, trajnimeve dhe projekteve të komunikimit publik. Përveç kësaj, kompania ka licencë për tregti me energji elektrike – një sektor i ndjeshëm që ka nxitur reagime të shumta pas rritjes së çmimeve nën qeverisjen Kurti.
Kjo nuk është hera e parë që kompania përmendet në media. MDA, që dikur ishte në pronësi të Luan Dalipit – aktualisht shef i stafit të Kryeministrit – ka qenë objekt hetimi nga Prokuroria e Shtetit në të kaluarën. Dalipi ishte akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, por më pas është shpallur i pafajshëm.
Akuzat kishin të bënin me përfitime të mundshme në tenderin e projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, i financuar nga Bashkimi Evropian me 2 milionë euro. Sipas akuzës, Dalipi dyshohej se kishte përfituar nëpërmjet ndihmës së ish-zyrtarit të MTI-së, Xhemajl Syla.
Pavarësisht kësaj, MDA mbetet aktive në fushën e kontratave publike, duke siguruar projekte të rëndësishme si ai i fundit me KQZ-në për zgjedhjet lokale të këtij viti.