Mbyllja e TikTok në Shqipëri, në kundërshtim me lirinë e shprehjes: Gazetarët përballen me presione dhe dhunë

Shqipëria zgjohet sot me një vendim politik për mbylljen e platformës TikTok, një akt që përbën një ndërhyrje të rëndë në lirinë e shprehjes dhe komunikimin e lirë, siç është evidentuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare.
Progres Raporti i Bashkimit Europian për nëntorin 2024 e përshkruan situatën e lirisë së mediave dhe shprehjes si “kritike”. Në raport theksohet se shpifja vazhdon të jetë krim penal, me gjoba të larta, ndërsa Kodi Penal nuk ofron mbrojtje të veçantë për gazetarët ndaj dhunës apo kërcënimeve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Për më tepër, ligji civil për informacionin e rremë nuk është në përputhje me standardet evropiane.
Kuvendi i Shqipërisë, i dominuar nga mazhoranca aktuale, nuk ka adresuar ende këto rekomandime. Sipas të dhënave të AGSH-së për vitin 2024, janë evidentuar:
Sulme fizike ndaj gazetarëve Freard Rista, Lorena Resulaj dhe Ersid Karaj.
Kërcënime me jetë, si rasti i Pirro Naset pas një shkrimi me përmbajtje politike.
Pengesa në raportim nga Garda dhe Kuvendi, që kufizojnë qasjen e gazetarëve.
Gjuhë fyese dhe denigruese nga zyrtarë të lartë ndaj gazetarëve.
Intimidim institucional, përfshirë kontrollin e telefonave të gazetarëve të RTSH-së.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike ka propozuar në programin e saj një sërë masash për të përmirësuar situatën, përfshirë:
Harmonizimin e ligjeve me standardet e BE-së për mbrojtjen e gazetarëve.
Rritjen e transparencës dhe aksesit në informacion publik.
Mbrojtjen nga paditë SLAPP dhe krijimin e një mjedisi profesional të sigurt.
Partneritete me organizatat e gazetarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Në një kohë kur presioni mbi mediat rritet, përpjekjet për të garantuar lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve bëhen gjithnjë më të domosdoshme.