Kosova
Kryesore

Mbyllet afati për aplikim në zgjedhjet lokale, KQZ certifikon grupin e dytë të subjekteve politike të enjten

Të mërkurën në mesnatë është përmbyllur afati për aplikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, për garën për Kryetarë të Komunave dhe anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të publikohet lista me emrat e të gjitha subjekteve që kanë aplikuar për certifikim.

Sipas Elezit, të enjten (14 gusht) KQZ do të mbajë mbledhjen e radhës, e cila pritet të nisë në orën 14:00, për certifikimin e grupit të dytë të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhje. Në rendin e ditës është certifikimi i nëntë subjekteve politike, përfshirë katër iniciativa qytetare dhe pesë kandidatë të pavarur.

Në total, këto subjekte përfaqësohen nga 66 kandidatë: katër për Kryetarë të Komunave dhe 62 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Zgjedhjet Lokale do të mbahen më 12 tetor 2025 në të gjitha komunat e Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button