Mbrojtja e Thaçit ankohet për mungesë të dëshmitarëve: kërkon më shumë kohë për paraqitjen e provave

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka ngritur shqetësime për vështirësitë që ka hasur në sigurimin e dëshmive të dëshmitarëve në sallën e gjyqit në Hagë.
Në parashtresën e dorëzuar, mbrojtja ka theksuar se këto probleme kanë ndikuar drejtpërdrejt në planifikimin e orareve dhe kanë çuar në anulimin e disa seancave. Sipas saj, disa dëshmitarë të planifikuar janë tërhequr ose kanë shtyrë dëshmitë për arsye të paparashikuara.
Një nga dëshmitarët e planifikuar për të dëshmuar më 3 nëntor 2025 është tërhequr për çështje që nuk ishin parashikuar në fillim të procesit, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar se nëse ai nuk dëshmon, atë javë nuk do të ketë asnjë dëshmitar të disponueshëm.
Në të njëjtën kohë, mbrojtja ka bërë të ditur se gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili është autorizuar të dëshmojë, nuk mund ta fillojë dëshminë e tij përpara datës 12 nëntor 2025 për shkak të detyrimeve profesionale. Clark ka konfirmuar gatishmërinë për të udhëtuar drejt Hagës më 17 nëntor 2025.
Edhe dëshmitarët e tjerë, të identifikuar me kodet 1DW-008 dhe 1DW-009, kanë vonesa për shkak të angazhimeve profesionale jashtë Hagës. Mbrojtja ka theksuar se dëshmitë përmes video-lidhjes janë të vështira për shkak të ndryshimeve të mëdha në zonat kohore dhe se kjo do të dëmtonte paraqitjen efektive të provave në mbrojtje të Thaçit.
Në parashtresë, mbrojtja ka theksuar se vonesat janë jashtë kontrollit të saj dhe ka kërkuar që t’u jepet koha e nevojshme për thirrjen e dëshmitarëve. Ajo ka argumentuar se Prokurorisë i janë dashur mbi dy vjet për paraqitjen e provave, ndërsa Thaçit duhet t’i garantohen të paktën 70 ditë për të paraqitur dëshmitarët e tij.
“Mbrojtja vëren se ky nuk është një problem unik; edhe Prokuroria është përballur me pengesa të ngjashme gjatë paraqitjes së çështjes së saj”, thuhet në parashtresën e dorëzuar nga avokati Mishetiq.
Procesi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit vazhdon në Dhomat e Specializuara të Hagës. Katër ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa Prokuroria e Specializuar e ka përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025.



