Mbrojtja e Hashim Thaçit tërhiqet nga dëshmitë e tre dëshmitarëve – pritet dëshmitari i fundit në nëntor

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka njoftuar se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e tre dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj tij në Hagë, ku akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Sipas njoftimit, mbrojtja nuk do të përdorë dëshmitë e dëshmitarëve me kodet 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174. Ndërkohë, miratimi i autorizimit për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar për shkak të mbylljes së përkohshme të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në parashtresën e paraqitur më 10 tetor 2025, mbrojtja ka bërë të ditur se pret miratimin për këtë dëshmitar, i cili do të jetë i fundit që do të thirret nga pala mbrojtëse. Dokumenti i mbrojtjes është përpiluar në New York.
Procesi i mbrojtjes ka nisur më 15 shtator 2025, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin. Pas tij kanë dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, dhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark. Më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, i cili e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Dhoma e Specializuar në Hagë ka njoftuar se 14 nëntori 2025 është caktuar si data për përfundimin e fazës së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimat do të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025. Mbrojtja më pas kishte kërkuar rrëzimin e disa akuzave përmes Rregullës 130, por kërkesa ishte refuzuar nga trupi gjykues më 16 korrik 2025. Po atë ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur dy dëshmitare eksperte, të cilat dëshmuan më 16 dhe 17 korrik.
Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është dorëzuar më 30 shtator 2022 dhe përmban dhjetë pika për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe ngjarjet në Gjilan, Budakovë dhe Semetishtë.
Katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020.
/BetimipërDrejtësi/



