Kosova

Mbrojtja e Hashim Thaçit: Kufizime në hetime dhe përgatitje për gjykim në rastin për administrim të drejtësisë

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka bërë të ditur se po përballet me kufizime serioze në aftësinë për të kryer hetime në rastin kundër administrimit të drejtësisë, çështje në të cilën Thaçi akuzohet së bashku me Hajredin Kuçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn.

Në një parashtresë të dorëzuar më 29 gusht 2025, avokatja Sophie Menegon thekson se këto kufizime lindin si pasojë e mbivendosjes së dëshmitarëve me çështjen për krime lufte, për të cilën Thaçi po përballet gjithashtu. Mbrojtja paralajmëron se do të kërkojë ndryshimin e rregullave të kontaktimit të dëshmitarëve në Çështjen 06, por deri atëherë hetimet e tyre janë ndjeshëm të penguara.

Sipas Menegon, zhvillimi i dy procedurave paralele ndaj Thaçit po e bën të vështirë për të përgatitur mbrojtjen e tij. Gjykimi për krime lufte fillon më 15 shtator dhe pritet të zgjasë edhe gjatë nëntorit, duke marrë kështu një pjesë të madhe të kohës së të akuzuarit për përgatitje.

Mbrojtja ka theksuar gjithashtu mangësi në aktakuzë dhe mungesën e qartësisë për tentativat e veprave penale që i ngarkohen Thaçit, duke e vënë në vështirësi në vlerësimin e provave dhe përgatitjen e strategjisë mbrojtëse.

Avokatja Menegon ka bërë të ditur se mbrojtja pritet të jetë e gatshme për gjykim më 2 mars 2026 dhe ka kërkuar që fillimi i procesit në çështjen aktuale të mos bëhet deri pas përfundimit të argumenteve përmbyllëse në Çështjen 06. Ajo gjithashtu ka njoftuar se bashkë-avokati i Thaçit nuk do të jetë i disponueshëm për periudha të caktuara në shkurt dhe prill 2026.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori 2020 dhe përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa vitin e kaluar i është ngritur edhe aktakuza për administrim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button