Mbrojtësi i viktimave kërkon pranimin e 74 dëshmive shtesë në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Mbrojtësi i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka kërkuar që të pranohen 74 dëshmi shtesë me shkrim. Sipas një përgjigjeje të zëdhënësit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, vendimi lidhur me këtë kërkesë ende nuk është marrë.
Mbrojtës të viktimave në këtë rast janë Simon Laws dhe Maria Radziejowska. “Mbrojtësi i viktimave ka kërkuar që të pranohen 74 dëshmi shtesë me shkrim, por gjyqtarët nuk kanë vendosur ende për këtë”, tha Doyle.
Ai shtoi se më parë, mbrojtjes së viktimave i është aprovuar kërkesa për 6 dëshmi të tjera me shkrim, ndërsa çështja e paraqitjes së provave ka përfunduar me dëshminë e dy dëshmitarëve në sallën e gjyqit.
Deri më tani janë dëgjuar 127 dëshmitarë në sallën e gjyqit, ku dy prej tyre ishin të mbrojtësit të viktimave, ndërsa pjesa tjetër e Prokurorisë. Si dëshmi me shkrim janë pranuar në total 137 dëshmi, ku 6 janë të mbrojtësit të viktimave, ndërsa pjesa tjetër të Prokurorisë.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar për përfundimin e paraqitjes së provave në këtë rast. Dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria përfshinin shqiptarë, serbë dhe ndërkombëtarë. Më 15 shtator 2025, është planifikuar të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes.