Kosova

Mbretëria e Bashkuar zgjat për tre vjet të tjera mbështetjen për KFOR-in në Kosovë

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të vazhdojë mbështetjen e saj afatgjatë për Kosovën, si në mënyrë bilaterale, ashtu edhe përmes NATO-s. Në një komunikatë zyrtare thuhet se Forcat e Armatosura Britanike do të vazhdojnë pjesëmarrjen në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë për të paktën deri në dhjetor të vitit 2028.

Sipas njoftimit, Mbretëria e Bashkuar do të ruajë një forcë rezervë prej qindra ushtarësh britanikë, të cilët mund të vendosen në Kosovë me një njoftim të shkurtër nëse kërkohet. Kjo vjen pas vendosjes së fundit të madhe në vitin 2023, pas sulmit të dhunshëm ndaj policisë në veri të Kosovës.

“Mbështetja jonë për KFOR-in është një dëshmi e qasjes sonë ‘NATO e para’, e përcaktuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes. Ajo forcon sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike.

Kryeministri Keir Starmer deklaroi se angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor mbetet i palëkundur.
“Duke i dhënë mbështetjen tonë Forcës së NATO-s në Kosovë, ne po tregojmë rolin tonë si një aleat kyç i NATO-s dhe po qëndrojmë pranë vlerave tona të stabilitetit dhe demokracisë”, u shpreh Starmer, ndërsa priti sot në Londër Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet bashkëpunimi rajonal për migracionin e parregullt.

Nga ana tjetër, Ministri i Forcave të Armatosura, Al Carns, vlerësoi kontributin shumëvjeçar të trupave britanike në Kosovë.
“Trupat tona kanë kryer qindra misione në mbështetje të KFOR-it. Ky zgjerim i angazhimit do të mbajë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt. Paqeruajtja është thelbësore për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt në vend dhe të fortë jashtë vendit”, tha ai.

Në kuadër të bashkëpunimit të ri rajonal, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar do të nisë në fillim të vitit 2026 një kurs trajnimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë. Kursi do të fokusohet në çështje të mbrojtjes së civilëve dhe promovimin e rolit të grave në fushën e sigurisë.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë ndër mbështetëset kryesore të Kosovës që nga paslufta, duke qenë vendi i parë që e njohu pavarësinë e saj në vitin 2008. Që nga viti 1999, trupat britanike kanë qenë pjesë e KFOR-it – një mision i NATO-s i mbështetur nga mbi 30 vende – që garanton paqe dhe stabilitet në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button