KryesoreLajme

Mbi 53 mijë vota në pikëpyetje/ PS kërkon vendim nga Celibashi për votat e shqiptarëve në Greqi – Zarfet u ndanë veç me kërkesë të PD

Nga mbi 1.7 miliona votat e hedhura më 11 maj, thuajse të gjitha janë numëruar, kur bëhet fjalë për ato për partitë politike. Në ‘apel’ mungojnë vetëm votat e shqiptarëve të Greqisë. Hapja e mbi 53 mijë zarfeve është kthyer në problemin më serioz të procesit të numërimit.
Nga mbi 1.7 miliona votat e hedhura më 11 maj, brenda dhe jashtë vendit, thuajse të gjitha janë numëruar, kur bëhet fjalë për ato për partitë politike. Në ‘apel’ mungojnë vetëm votat e shqiptarëve të Greqisë. Hapja e mbi 53 mijë zarfeve është kthyer në problemin më serioz të procesit të numërimit.

Aktualisht të gjitha votat nga vendi fqinj janë të ndara veçmas, në kuti të ndryshme për të 12 qarqet. Shkak për këtë ndarje u bë një kërkesë e Partisë Demokratike që kur kutia e parë u hap, me pretendimin e manipulimeve, kërkesë që u pranua nga Kryekomisioneri Celibashi. Çdo zarf i Greqisë u kontestua dhe u veçua. Vendimi i Celibashit u rrëzua nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, vendimmarrja e të cilit u dërgua në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Demokratike.

Megjithatë jemi përballë faktit të kryer që të gjitha zarfet e Greqisë janë ndarë tashmë më vetë, dhe një vendim i Kolegjit nuk do të zgjidhte asgjë.
Për t’i dhënë një drejtim numërimit, komisioni zonal për votimin e diasporës, siç Kodi Zgjedhor e detyron, u përpoqën të marrin një vendim për të konkluduar se çdo të ndodhte me votat e konsideruara të kontestuara. Duke qenë se janë të ndarë politikisht në barazim, votimi i Komisioneve ishte 2 me 2 dhe vendimmarrja nuk u arrit.

Për ta zgjidhur problemin Partia Socialiste iu drejtua me një kërkesë tjetër kryekomisionit Ilirjan Celibashi, që të merrte ai një vendim. Kodi Zgjedhor thotë se kur një KZAZ nuk arrin dot vendimmarrjen, zgjidhja i kalon KQZ-së.

Tashmë janë të gjithë në pritje të Celibashit. 53 209 votat e ardhura nga Greqia presin vendimin e tij, ndërsa kryekomisioneri edhe pse kanë kaluar disa orë ende nuk ka një qëndrim. Më herët ai ka thënë se votat do numërohen por mënyrën se si e ka lënë evazive. PD kërkon që të votohen vetëm ato që kanë firma të personit votues, pasi pretendon se ka edhe zarfe që nuk janë firmosur nga zgjedhësi kur janë marrë ose kur janë dorëzuar. Për këtë Celibashi ka kërkuar nga kompania DHL dokumentacionin me firmat, duke paralajmëruar një tjetër situatë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button