Mbështetja ndërkombëtare për Sali Berishën rritet, eurodeputeti Rihards Kols del hapur në krah të opozitës shqiptare

Mbështetja për liderin demokrat Sali Berisha po vjen duke u rritur nga faktorët ndërkombëtarë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Pas një sërë eurodeputetësh dhe personalitetesh ndërkombëtare që kanë shprehur publikisht përkrahjen për kryedemokratin dhe koalicionin opozitar, së fundmi në krah të tij ka dalë edhe Rihards Kols, anëtar i Parlamentit Europian.
Përmes një video-mesazhi, eurodeputeti Kols shpreh mbështetjen e tij për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore, duke theksuar rëndësinë e vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe integrimit evropian për të ardhmen e vendit.
“Nuk ka të bëjë vetëm me procesin politik, kjo ka të bëjë me drejtimin që merr një komb që ka punuar shumë për të lënë pas të kaluarën autoritare dhe për të përqafuar vlerat e demokracisë dhe të integrimit evropian,” shprehet Kols. Ai nënvizon shqetësimet për korrupsionin, përqendrimin e pushtetit dhe erozionin e institucioneve të pavarura në Shqipëri.
Në mesazhin e tij, eurodeputeti thekson se “pa besim te vota, demokracia nuk mund të funksionojë”, duke e cilësuar 11 majin si një provë të përkushtimit për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.
Kols i bën thirrje shqiptarëve që të kërkojnë një qeverisje që i shërben interesit publik dhe forcon institucionet: “Populli i Shqipërisë meriton një udhëheqje që e pasqyron këtë potencial. Një qeverisje që i shërben interesit publik, forcon ekonominë dhe ndërton besim tek institucionet.”
Ai përmbyll mesazhin me një apel të fortë për të ardhmen europiane të Shqipërisë: “E ardhmja e Shqipërisë në BE, varet jo vetëm nga reformat e shkruara në ligje, por nga reformat e zbatuara në praktikë. Shpresoj për një Shqipëri të fortë, demokratike, që i përket plotësisht familjes europiane.”