Mbappe gati për sezonin e dytë te Real Madridi: Premton sukses dhe mban numrin 10

Kylian Mbappe është i gatshëm ta nisë sezonin e dytë me fanellën e Real Madridit, duke premtuar më shumë sukses dhe përkushtim. Sulmuesi francez, i cili pati një debutim të mirë individualisht në edicionin 2024/25, shprehu ambiciet për një sezon edhe më të fuqishëm me “Los Blancos”.
“Sezoni i ri. I uritur për të bërë diçka të madhe. Le të shkojmë të gjithë së bashku, Madridista. Hala Madrid”, shkroi Mbappe në rrjetet sociale, ndërsa ekipi madrilen i është rikthyer stërvitjeve për përgatitjet finale të sezonit të ri.
Pas largimit të Luka Modricit, yllit francez i është besuar fanella me numrin 10 – një simbol përgjegjësie dhe lidershipi në klubin mbretëror. Me këtë barrë dhe pritshmëri të re, Mbappe synon të jetë protagonist kryesor në sukseset e Real Madridit në edicionin 2025/26.