Matilda Matija akuzon Bashkinë Shkodër për asfaltime elektorale në Velipojë: “Shkelje e Kodit Zgjedhor”

Kandidatja e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Qarkun Shkodër, Matilda Matija, ka reaguar ashpër ndaj nisjes së papritur të punimeve për asfaltimin e disa rrugëve në zonën e Velipojës, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, Matija shpreh shqetësimin për mungesën e transparencës dhe tabelave informuese mbi projektin, duke ngritur dyshime serioze mbi qëllimin e vërtetë të investimeve të minutës së fundit.
Ajo akuzon Bashkinë Shkodër për përdorimin e burimeve publike në shkelje të Kodit Zgjedhor, me qëllim përfitime elektorale. “Këto veprime nuk janë vetëm të paligjshme, por përfaqësojnë një përpjekje për të maskuar neglizhencën shumëvjeçare ndaj Shkodrës dhe Velipojës”, u shpreh kandidatja.
Matija i bëri thirrje institucioneve për hetim dhe qytetarëve për vigjilencë, duke theksuar se “vetëm përmes transparencës dhe respektimit të ligjit mund të ndërtojmë një qeverisje të ndershme dhe afatgjatë”.
Ajo e cilëson aktivizimin e vonuar të Bashkisë si “një fasadë zgjedhore”, ndërsa garanton se qytetarët e Shkodrës meritojnë më shumë sesa “investime të sforcuara në prag të zgjedhjeve”.