Masat e rrepta të Policisë për Samitin e Komunitetit Politik Europian: 1500 efektivë në terren dhe bllokime të shumta rrugësh në Tiranë

Policia e Shtetit ka publikuar planin e detajuar të masave për mbarëvajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Europian, i cili do të zhvillohet në Sheshin “Skënderbej”. Rreth 1500 efektivë nga të gjitha strukturat e rendit, përfshirë Antiterrorin, policinë rrugore, të krimeve, rendit publik dhe policinë bashkiake të Tiranës, do të jenë në terren për garantimin e sigurisë së këtij aktiviteti me rëndësi të lartë ndërkombëtare.
Në zonën përreth Sheshit “Skënderbej”, janë vendosur rreth 600 efektivë që do të angazhohen në ruajtjen dhe eskortimin e delegacioneve të nivelit të lartë. Forca të Gardës dhe SHISH-it janë gjithashtu në gatishmëri, jo vetëm për të mbikëqyrur terrenin, por edhe për të monitoruar rrjetet sociale për çdo thirrje destabilizuese. Në bashkëpunim me agjenci partnere, Shqipëria ka marrë asistencë edhe nga ekspertë të huaj të sigurisë, të cilët do të ndihmojnë në shoqërimin e personaliteteve nga Rinasi deri në vendin e zhvillimit të samitit.
Grupet anti-eksploziv janë vendosur në rrugët kryesore dhe po vëzhgojnë me përpikmëri gjithë perimetrin e sigurisë.
Bllokime të shumta rrugësh
Policia ka bërë me dije se ditën e sotme, më 16 maj 2025, do të ketë kufizime të konsiderueshme në qarkullimin rrugor:
Nga ora 06:30 – 11:30, do të bllokohen të gjitha akset rrugore nga Aeroporti “Nënë Tereza” deri në Sheshin “Skënderbej”, përmes autostradave, unazës së re dhe rrugës së Elbasanit.
Nga ora 13:00 – 18:00, do të ketë një tjetër bllokim i plotë përgjatë të njëjtit aks, në drejtim të kundërt – nga Sheshi “Skënderbej” drejt aeroportit.
Këto bllokime do të jenë të vlefshme për të dy krahët në momentet kur kalojnë delegacionet.
Zonat alternative të qarkullimit:
Për Rinasin, qytetarët mund të përdorin rrugët dytësore të autostradës “Tiranë–Qafë Kashar–Rinas” dhe itinerarin “Paskuqan–Institut–Kamëz–Domje–Laknas–Rinas”.
Për zonën e Astirit, mbeten të aksesueshme nënkalimi i “Pallatit me shigjeta” dhe mbikalimi i rrugës “Teodor Keko”.
Për zonën e qytetit Studenti, rrugët alternative janë bulevardi “Bajram Curri” dhe drejtimi i Brylit.
Për spitalin “Shefqet Ndroqi”, hyrja do të rregullohet herë pas here përmes rrugës “Pasho Hysa”, në drejtim të “Ali Demit”.
Perimetri i bllokuar i samitit: 06:00 – 18:00
Gjatë gjithë ditës së sotme, nga ora 06:00 deri në orën 18:00, perimetri i Sheshit “Skënderbej” do të jetë i paaksesueshëm për këmbësorë dhe automjete. Zona e bllokuar përfshin rrugë kyçe si:
Bulevardi “Zogu i Parë” deri te tuneli i “ish-Cirkut”
Rruga “Myslym Shyri” deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Rruga “Ibrahim Rrugova”, “Ded Gjo Luli”, “Urani Pano”, “George W. Bush” dhe “Barrikadave”
Ndërkohë, për të shmangur konfuzionin, policia ka njoftuar edhe devijimet specifike për secilin segment rrugor përreth perimetrit të sigurisë.
Policia i bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë udhëzimet, të përdorin rrugët alternative dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e kufizuara.