Lajme

Masa të veçanta sigurie dhe kufizime qarkullimi për fundjavën: zhvillohen tre aktivitete të mëdha në kryeqytet

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka hartuar dhe nisur zbatimin e planeve të posaçme të veprimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për lehtësimin e qarkullimit rrugor gjatë zhvillimit të tre aktiviteteve të rëndësishme që do të mbahen në kryeqytet gjatë ditës së sotme dhe fundjavës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë:

Sot, më 17 tetor 2025, do të zhvillohet një tubim në sheshin “Skënderbej”, për të cilin do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në Bulevardin e Ri, nga ora 17:00 deri në 19:00.

Të shtunën, më 18 tetor 2025, gjatë aktivitetit “Maratona Fan Run”, do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 09:00 deri në 11:00, në segmentin rrugor që shtrihet nga sheshi “Nënë Tereza” deri te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Të dielën, më 19 tetor 2025, për shkak të zhvillimit të “Maratonës së Tiranës 2025”, do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në 16:00, në një sërë segmentesh kryesore rrugore, përfshirë:
sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “George W. Bush”, “Abdi Toptani”, “Ded Gjo Luli”, “Ibrahim Rugova”, “Lek Dukagjini”, bulevardet “Bajram Curri”, “Zog I”, “Zhan D’Ark”, “Bulevardi i Ri”, si dhe rrugët e “Durrësit”, “Kavajës” dhe “Myslym Shyri”.

Gjatë kësaj dite do të pezullohet qarkullimi i transportit urban përgjatë itinerarit të maratonës dhe në rrugët që kryqëzohen me të, po ashtu do të ndalohet qarkullimi i mjeteve për transport të përzier, teknologjik dhe pasagjerësh, brenda Unazës së Madhe, nga ora 08:00 deri në 16:00.

Në të gjitha itineraret, mjetet e Emergjencës dhe të Policisë së Shtetit do të lëvizin normalisht.

Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet me automjete në zonat e kufizuara, të përdorin rrugë alternative dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë në terren, për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe sigurinë publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button