Lajme

Marry Ponte: Shqipëria po rrezikon të ketë të njëjtin regjim si Venezuela

Në konferencën ndërkombëtare “Global She”, organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Sekretarja për Çështjet e Drejtësisë Familjare në Venezuelë, Marry Ponte, krahasoi situatën politike në Shqipëri me atë të vendit të saj.

Ponte theksoi se Shqipëria rrezikon të ndjekë të njëjtën rrugë si Venezuela, ku frika dhe mungesa e lirisë kanë mbizotëruar për më shumë se dy dekada. Ajo bëri thirrje që çdo qytetar shqiptar të luftojë për lirinë individuale, duke paralajmëruar se ndryshe do të përballet me të njëjtat pasoja që përjeton sot populli venezuelan.

“Në Venezuelë kemi tashmë 26 vjet nën një regjim që erdhi në pushtet përmes votës, por që prej vitit 1999 ka manipuluar zgjedhjet për të qëndruar në pushtet. Ky regjim ka shkatërruar ekonominë, institucionet, ka rritur korrupsionin, pasigurinë dhe trafikimin e drogës”, tha Ponte, duke shtuar se për shkak të përndjekjeve dhe krizës, afro 9 milionë venezuelanë janë larguar nga vendi.

Duke vënë theksin te rëndësia e lirisë për gratë dhe shoqërinë në tërësi, Ponte tha: “Pa liri nuk mund të ketë barazi, solidaritet, drejtësi apo vlera të tjera themelore për jetën. Gratë nuk kanë nevojë për bamirësi, por për lirinë për të konkurruar.”

Në përfundim të fjalës së saj, Ponte u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të mos dorëzohen kurrë në betejën për liri dhe drejtësi.

“Ne në Venezuelë kemi 26 vite që e bëjmë këtë luftë dhe vazhdojmë të qëndrojmë. Ashtu siç luftojmë për Venezuelën, duhet të luftojmë edhe për Shqipërinë dhe për çdo vend tjetër që përballet me regjime të ngjashme,” përfundoi ajo.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button