Maroku hap tenderin për ndërtimin e stadiumit me kapacitet 115 mijë vende, kandidon për finalen e Botërorit 2030

Maroku ka shpallur një tender të ri ndërkombëtar për ndërtimin e fazës së dytë të Stadiumit të Madh Hassan II në Casablanca, një projekt ambicioz që synon të presë finalen e Kupës së Botës 2030, organizuar në bashkëpunim me Spanjën dhe Portugalinë. Kostoja e kësaj faze përllogaritet në 3.2 miliardë dirhamë marokenë, që korrespondojnë me rreth 304 milionë euro.
Faza e dytë e projektit përfshin një sërë punimesh strukturore: izolimin, strukturën metalike, veshjet, tavane të varura, dyer, dritare dhe lyerje, siç përcaktohet në dokumentet zyrtare të tenderit, të siguruara nga agjencia EFE. Afati i realizimit është parashikuar të zgjasë 30 muaj nga njoftimi i fillimit të punimeve, ndërsa hapja e ofertave është caktuar për 10 qershor 2025.
Institucionet përgjegjëse për këtë projekt janë SONARGES (Shoqëria Kombëtare për Realizimin dhe Menaxhimin e Pajisjeve Sportive), e cila merret me menaxhimin e stadiumeve në Marok, dhe Drejtoria e Infrastrukuturës Sportive pranë ANEP (Agjencia Kombëtare e Pajisjeve Publike), që vepron si autoritet kontraktues.
Ky zhvillim vjen pas përfundimit të fazës së parë të projektit, që konsistonte në nivelimin dhe përgatitjen e terrenit, punime që iu dhanë në gusht të vitit 2024 kompanisë SGTM, për një vlerë prej 356 milionë dirhamë (rreth 33 milionë euro).
Stadiumi i ri, me një kapacitet mbresëlënës prej 115.000 spektatorësh, do të shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 100 hektarësh, brenda një zone pyjore në Mansouria, në komunën e Benslimanit, rreth 38 kilometra në veri të Casablanca-s.
Arkitekti kryesor i kësaj vepre gjigante, Tarik Oualalou, deklaroi për EFE se stadiumi do të jetë “i gjeneratës së fundit”, në përputhje me standardet e FIFA-s, do të ketë certifikimin ambiental HQE (High Quality Environmental) dhe do të përfitojë nga përvojat e mëparshme të organizimeve botërore.
Ky projekt simbolizon jo vetëm ambiciet sportive të Marokut, por edhe përkushtimin për të ndërtuar infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme, duke synuar të jetë një nga pikat kyçe të Kupës së Botës 2030.