Marin Mema nderohet me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Deçanit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka nderuar gazetarin e njohur Marin Mema me titullin “Qytetar Nderi” të Komunës së Deçanit, gjatë një ceremonie solemne të mbajtur në ambientet e Kuvendit Komunal.
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj e cilësoi Memën si një zë të fuqishëm në mbrojtje të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ai vlerësoi lartë guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e gazetarit, duke theksuar rolin e tij në ndriçimin e çështjeve të rëndësishme kombëtare përmes punës hulumtuese dhe dokumentare.
“Në emër të qytetarëve të Deçanit dhe gjithë atyre që e duan këtë vend, kemi nderin ta shpallim Marin Memën ‘Qytetar Nderi’, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen shqiptare,” u shpreh Haradinaj.
Përveç titullit simbolik, Haradinaj i dorëzoi gazetarit edhe medaljen “Besim në Zot, Atdhe e Shtet”, si shenjë respekti për misionin e tij në shërbim të të vërtetës dhe kombit shqiptar.
Vetë Mema u shpreh i nderuar për vlerësimin, duke falënderuar qytetarët e Deçanit dhe lidershipin lokal për këtë njohje, të cilën e quajti një shtysë të mëtejshme për të vazhduar angazhimin e tij në mbrojtje të trashëgimisë dhe të drejtave kombëtare shqiptare.