Kosova

Maqedonci pas takimit me homologun turk: Kosova do të ketë rol strategjik në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim që e ka cilësuar si jashtëzakonisht produktiv me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Yasar Guler, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet gjeopolitike dhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Maqedonci theksoi se në qendër të bisedimeve ishte funksionalizimi i fabrikës së municionit në Kosovë, projekt i cili pritet të sjellë vet-qëndrueshmëri logjistike për FSK-në dhe të forcojë më tej kapacitetet mbrojtëse të vendit. Ai tha se ky zhvillim do ta vendosë Kosovën në një rol strategjik në rajon.

“Ky projekt do të rrisë ndjeshëm aftësitë e FSK-së, do të mundësojë vet-qëndrueshmëri logjistike dhe do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Kosova, duke forcuar strukturat e saj mbrojtëse, do të jetë në një pozicion më të mirë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit”, deklaroi Maqedonci.

Ai gjithashtu vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke e cilësuar këtë marrëdhënie si themelore për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Sipas tij, të dy ministrat janë dakorduar për vazhdimësinë e bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve, si një element kyç për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button