Manchester United konfirmon transferimin e Benjamin Sesko, sulmuesit slloven të ardhshëm yll i “Djajve të Kuq”

Manchester United ka njoftuar zyrtarisht afrimin e Benjamin Sesko, sulmuesit 22-vjeçar slloven, i cili ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2030 dhe tashmë po pret regjistrimin zyrtar te klubi anglez.
Sesko ka impresionuar në dy sezonet e fundit duke shënuar më shumë gola se çdo futbollist tjetër nën moshën 23 vjeç në pesë ligat kryesore evropiane. Në sezonin e kaluar te RB Leipzig, ai realizoi 21 gola dhe regjistroi 6 asistime, duke treguar një formë të jashtëzakonshme.
Me 41 paraqitje dhe 16 gola me përfaqësuesen e Sllovenisë që nga debutimi i tij në vitin 2021 si lojtari më i ri në historinë e vendit, Sesko vjen në “Old Trafford” me shumë ambicie.
“Historia e Manchester United është shumë e veçantë, por më emocionon e ardhmja. Ky projekt i ri më jep besim se klubi do të rikthehet në garën për trofetë më të mëdhenj,” u shpreh Sesko pas transferimit.
Drejtori sportiv i Manchester United, Jason Wilcox, e përshkroi sulmuesin si një talent të rrallë me kombinimin e shpejtësisë dhe forcës fizike, që do t’i shtojë shumë skuadrës nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim.
Me këtë transferim, Manchester United synon të forcojë sulmin dhe të ndërtojë një skuadër të fuqishme për të rivalizuar në nivelet më të larta të futbollit evropian në sezonet që vijnë.