Manchester United gati ofertën 60 milionë paund për talentin e Crystal Palace, Adam Wharton

Manchester United ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar shërbimet e mesfushorit të talentuar të Crystal Palace, Adam Wharton. Sipas burimeve pranë klubit, “Djajtë e Kuq” janë të gatshëm të ofrojnë plot 60 milionë paund për 21-vjeçarin, përpara se në garë të ndërhyjë Real Madrid.
Wharton ka qenë një nga zbulimet më të mëdha të sezonit në Premier League, që pas transferimit të tij nga Blackburn Rovers në janar të vitit 2024 për 18.5 milionë paund, një shumë që mund të arrijë deri në 22 milionë me bonuse. Që nga ardhja në “Selhurst Park”, ai është shndërruar në një figurë kyçe të mesfushës së Palace, duke kontribuar në sukseset e skuadrës, përfshirë edhe fitimin e FA Cup dhe Community Shield.
Falë maturisë taktike, kontrollit të lojës dhe vizionit të jashtëzakonshëm, Wharton është vlerësuar si një nga mesfushorët më premtues të futbollit anglez. Pikërisht këto cilësi e kanë bërë atë objektiv kryesor për trajnerin e ri të Manchester United, Rúben Amorim, i cili kërkon të rindërtojë mesfushën në prag të një faze të re në “Old Trafford”.
Me largimet e mundshme të Casemiro-s dhe Kobbie Mainoo, drejtuesit e United besojnë se Wharton mund të jetë zgjedhja ideale për projektin afatgjatë të skuadrës.
Megjithatë, garën e vështirëson interesi i Real Madridit, që e sheh Wharton si një pasues të mundshëm të Toni Kroos. Crystal Palace, nga ana e saj, e ka vlerësuar lojtarin me një klauzolë lirimi mbi 80 milionë paund, çka mund të pengojë një transferim të menjëhershëm.
Manchester United është i vendosur të veprojë shpejt përpara se çmimi të rritet apo të ndërhyjnë klubet e tjera. Nëse oferta prej 60 milionë paund pranohet, Adam Wharton pritet të bëhet një nga shtyllat kryesore të mesfushës së re të United dhe një nga transferimet më premtuese të verës.



