Manchester City mbyll vitin 2025 pa asnjë trofe, Guardiola synon rikthimin në sezonin e ri

Për herë të parë pas një kohe të gjatë, Manchester City e ka mbyllur një vit pa fituar asnjë trofe. Ekipi i Pep Guardiolës u eliminua mbrëmë nga Botërori i Klubeve, pas një humbjeje dramatike 3:4 ndaj skuadrës saudite Al Hilal, në fazën e të tetës së finales.
Ky eliminim shënoi fundin e shpresave të “Citizens” për të fituar të paktën një trofe në vitin 2025, i cili doli të jetë një nga sezonet më të dëshpëruara në epokën Guardiola. Manchester City nuk arriti të ruajë titullin në Premier League, ndërsa u eliminua gjithashtu nga Liga e Kampionëve. Dështimet u thelluan edhe në kompeticionet vendore, FA Cup dhe Carabao Cup, ku ekipi u ndal para finales.
Pavarësisht investimeve të mëdha gjatë merkatos së janarit, ku City solli në skuadër emra të mëdhenj si Omar Marmoush (75 milionë euro), Nico Gonzalez (60 milionë), Abdukodir Khusanov (40 milionë), Vitor Reis (37 milionë) dhe Juma Bah (6 milionë), skuadra nuk arriti të gjejë formën e duhur.
Përforcimet e fundit si Rayan Cherki, Rayan Aït-Nouri dhe Tijjani Reijnders gjithashtu nuk arritën ta ndryshonin fatin e sezonit, me City që u eliminua herët nga Botërori i Klubeve.
Trajneri Pep Guardiola, megjithatë, mbetet optimist. Ai e sheh sezonin 2025/26 si një mundësi për një kapitull të ri suksesi për “qytetarët”, me synimin për të rikthyer dominimin në Angli dhe Evropë, siç ka ndodhur në vitet e mëparshme.
Në “Etihad” mbizotëron besimi se po fillon një cikël i ri, ku Manchester City do të rikthehet fuqishëm në garën për trofetë më të mëdhenj.