Lajme

Malltezi akuzon Ramën për shpërdorim fondesh publike: “7 milionë euro për Giro d’Italia, vepër penale”

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, ka reaguar ashpër pas publikimit të lajmit se qeveria shqiptare ka shpenzuar 7 milionë euro para publike për organizimin e etapave të Giro d’Italia në Shqipëri.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Malltezi e cilëson këtë veprim si një vepër penale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për favorizim të një aktiviteti privat me fonde publike.

“Giro d’Italia organizohet nga privati, Edi Rama i jep 7 milion € para publike, zapton rrugët publike, bllokon aktivitetet zgjedhore të opozitës, a nuk është vepër penale?”, shkruan Malltezi.

Ai iu drejtua gjithashtu prokurorisë me një krahasim ironik, duke kujtuar rastin e sponsorizimit të koncertit të këngëtarit Riccardo Cocciante, që sipas tij, u konsiderua si vepër penale nga organet e drejtësisë, ndonëse ishte një nismë private.

“Prokurorët politikë sponsorizimin privat të Cocciantes e quajnë vepër penale!”, vijon Malltezi në reagimin e tij.

Ky është një tjetër episod në përplasjet politike që kanë shoqëruar organizimin e ngjarjeve madhore sportive dhe kulturore në vend, të cilat, sipas opozitës, përdoren për qëllime elektorale dhe propagandë qeveritare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button