Lushnjë – Premtoi para për votë, arrestohet 38-vjeçari. Sekuestrohet karta e identitetit e shtetasit tjetër

Vetëm tre ditë pas nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Policia e Lushnjës ka arrestuar një 38-vjeçar, i cili dyshohet për tentativë blerjeje vote në favor të një subjekti politik.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se shtetasi M. L., banues në Lushnjë, u kap në flagrancë nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Lushnjës, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.
Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se 38-vjeçari i kishte premtuar një shtetasi një shumë parash, në këmbim të votës në favor të një subjekti politik. Po ashtu, i kishte marrë këtij shtetasi edhe kartën e identitetit, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme.