Liverpooli shtyn përgatitjet verore pas tragjedisë që preku skuadrën

Liverpooli do të nisë me trishtim përgatitjet për sezonin e ri, pasi humbja tragjike e sulmuesit Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva ka goditur rëndë klubin. “Reds” do t’i rikthehen stërvitjeve nesër në “AXA Training Centre”, me një ditë vonesë nga sa ishte planifikuar fillimisht.
Shtyrja e përgatitjeve është bërë në shenjë respekti për dhimbjen që ka përfshirë të gjithë skuadrën. Lajmi është konfirmuar nga “Liverpool Echo”. Jota dhe vëllai i tij humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku në Spanjë, teksa po udhëtonin drejt Anglisë për të qenë pjesë e fazës përgatitore.
Tragjedia ndodhi pasi shpërtheu goma e Lamborghinit me të cilin ata po udhëtonin, duke bërë që makina të dalë nga rruga dhe të përfshihet nga flakët. Diogo Jota kishte vendosur të mos udhëtonte me aeroplan për shkak të një operacioni të fundit në mushkëri, duke ndjekur këshillat e mjekëve për të shmangur fluturimin.
Trajneri Arne Slot dhe disa lojtarë morën pjesë të shtunën në varrimin e Jotës në qytetin e tij të lindjes, Gondomar në Portugali.
Përveç shtyrjes së stërvitjeve, rrezikon të anulohet edhe ndeshja e parë miqësore e planifikuar më 13 korrik ndaj Preston North End. Vendimi për këtë takim do të merret pas konsultimeve të stafit teknik me lojtarët, të cilët ende janë nën tronditjen e madhe të humbjes.
Ndërkohë, klubi dhe tifozët vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë familjes së Diogo Jotës, duke e kujtuar atë si një shok skuadre të dashur dhe të respektuar.