Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mblidhen në Shkup për të diskutuar Planin e Rritjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, do të jenë ndër folësit kryesorë në samitin dyditor që nis sot në Shkup, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian do të diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.
Takimi i nivelit të lartë, që mbahet më 30 qershor dhe 1 korrik, synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përshpejtimin e reformave dhe përparimin drejt integrimit në Tregun e Përbashkët Rajonal.
Samiti nis mbrëmjen e sotme me një darkë zyrtare të organizuar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në ambientet e “Ëinery Kamnik” në Shkup. Në këtë darkë marrin pjesë liderët rajonalë dhe zyrtarë të lartë të BE-së, përfshirë Komisioneren për Zgjerim Marta Kos. Paralelisht, ministrat për Çështje Evropiane dhe partnerët zbatues do të zhvillojnë një darkë pune në të njëjtin ambient.
Pjesa qendrore e samitit zhvillohet më 1 korrik në “Hilton Double Tree Hotel”, ku fokusi do të jetë në vlerësimin e Planit të Rritjes, prezantimin e iniciativave të reja dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Axhenda e Samitit për 1 Korrik përfshin:
09:30 – 10:00: Deklarata për media dhe mirëseardhja zyrtare
10:00 – 10:20: Fjalët hyrëse nga Kryeministri Mickoski dhe Komisionerja Marta Kos
10:20 – 12:00: Paneli I me temë “Plani i Rritjes – Vlerësimi, puna e ardhshme dhe komunikimi”, ku do të flasin liderët rajonalë përfshirë Kurti, Rama, Vuciq, Spajic dhe Krishto
12:15 – 12:45: Konferencë për media nga Mickoski dhe Komisionerja Kos
12:45 – 14:00: Paneli II mbi “Zgjerimin e Shtyllave të Planit të Rritjes”, i fokusuar në reformat dhe tregun rajonal
14:10: Drekë zyrtare dhe përmbyllja e samitit
Në samit marrin pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajic, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës Borjana Krishto, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Shërbimit të Jashtëm Evropian, BERZH-it, Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare dhe rajonale.
Ky takim vjen në një moment kyç për rajonin, ndërsa Plani i Rritjes i propozuar nga BE pritet të japë një shtysë të re për zhvillimin ekonomik dhe integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.