Sport

Lewandowski në qendër të vëmendjes – Arabia Saudite rikthehet me interesim, Barcelona e hapur ndaj një largimi të mundshëm

Barcelona po përballet sërish me probleme serioze sa i përket kufirit të pagave, dhe si rrjedhojë, emrat e disa prej yjeve të skuadrës janë duke u përmendur për një largim të mundshëm. Njëri ndër ta është edhe Robert Lewandowski.

Sipas raportimeve të gazetës Mundo Deportivo, Arabia Saudite ka rihapur interesimin për sulmuesin polak, i cili është ndër më të paguarit te Barcelona, bashkë me Frenkie de Jong. 36-vjeçari ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij aktuale, të cilën e rinovoi në pranverë, dhe deri më tani ka insistuar publikisht se synon ta respektojë atë deri në fund.

Pavarësisht kësaj, situata financiare e klubit katalanas i lë hapësirë një skenari tjetër. Barcelona e ka në plan ta mbajë Lewandowskin edhe për sezonin 2025/26, duke e konsideruar si titullar në pozitën e sulmuesit qendror. Megjithatë, në rast se vetë lojtari vendos të largohet, klubi nuk do t’i vendoste pengesa, por do të kërkonte një shumë të kënaqshme transferimi.

Arabia Saudite, që po vazhdon të investojë fuqishëm në futboll, e ka të hapur afatin kalimtar deri më 23 shtator, për dallim nga Spanja, ku mbyllet më 1 shtator. Kjo i jep kohë klubeve saudite për të bërë ofertë dhe për të bindur Lewandowskin me një kontratë të majme.

Barcelona, ndërkohë, ka shtuar konkurrencën në repartin ofensiv me ardhjen e Marcus Rashford, ndërsa edhe Dani Olmo dhe Ferran Torres konsiderohen si alternativa për rolin e sulmuesit qendror.

Vetë Lewandowski, i cili ishte golashënuesi më i mirë i Barcelonës sezonin e kaluar me 42 gola, ka deklaruar se ndjen se ka ende vite për të dhënë në nivele të larta dhe është i përkushtuar ndaj klubit katalanas. Por, për ta ndryshuar këtë realitet, Arabia Saudite duhet të paraqesë një ofertë të jashtëzakonshme që do ta tundonte sulmuesin legjendar.

Çështja mbetet e hapur dhe do të jetë në fokus të merkatos gjatë javëve në vazhdim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button