Leverkusen refuzon ofertën e Sunderlandit për Granit Xhakën – Transferimi mbetet shumë pak i mundshëm

Një marrëveshje mes Bayer Leverkusen dhe Sunderland për transferimin e Granit Xhakës aktualisht shihet si shumë pak e mundshme, sipas të përditshmes gjermane BILD.
Pavarësisht interesimit konkret nga klubi anglez, mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane u ka bërë të qartë drejtuesve të Leverkusenit se do të mbetet 100% i përkushtuar ndaj kampionëve të Bundesligës nëse negociatat nuk finalizohen me sukses.
Sipas raportimeve, Sunderland – që sapo është ngjitur në Premierligë – i ka ofruar Xhakës një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh, një rritje e konsiderueshme nga 7 milionë eurot që përfiton aktualisht në Leverkusen. Megjithatë, pavarësisht ofertës së majme për lojtarin, klubi anglez nuk është i gatshëm të përmbushë kërkesat financiare të Leverkusenit për kartonin e tij.
Leverkusen e ka vlerësuar Xhakën në rreth 20 milionë euro, ndërkohë që oferta fillestare e Sunderlandit nuk i kalon 10 milionë euro – një hendek që, sipas burimeve pranë klubit gjerman, nuk pritet të zvogëlohet.
Në këto rrethana, çdo transferim i mundshëm duket i largët, dhe Xhaka pritet të vazhdojë aventurën e tij në “BayArena”, ku ishte një nga figurat kyçe të suksesit historik të sezonit të kaluar.