Leonard Ademaj: Dënimi nuk na e kthen Liridonën, por drejtësia duhet të japë shembull

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt e cila u vra mizorisht më 29 nëntor 2023, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Ai dëshmoi të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku theksoi se drejtësia duhet të japë një shembull për të gjithë ata që mendojnë të kryejnë krime të tilla.
“Dënimi nuk na e kthen Liridonën, por të paktën le të jetë një shembull për ata që tentojnë të bëjnë krim të tillë. Duke marrë parasysh rrethanat kriminale, dënimi duhet të jetë kapital, pasi që populli ia ka dhënë tashmë”, tha ai në seancën gjyqësore, sipas “Betimi për Drejtësi”.
Detaje të dhimbshme nga dëshmia
Leonardi u pyet nga avokati i të akuzuarit Murseli, Shemsedin Piraj, lidhur me marrëdhënien mes çiftit. Ai tha se Naimi kishte shkuar për vizitë në familjen e Liridonës pas kthimit nga pushimet dhe kishte fjetur aty një apo dy herë. Gjatë atyre qëndrimeve, nuk kishte vërejtur ftohje në raportin mes tyre.
Në lidhje me financat, dëshmitari tregoi se Liridona kishte dy punë në Suedi për të përballuar jetesën, ndërsa për gjendjen financiare të Naimit nuk kishte njohuri. Megjithatë, ai përmendi se Naimi kishte kërkuar para nga një i afërm në Zvicër.
Ai theksoi se motra e tij nuk kishte shfaqur probleme me Murselin gjatë martesës së tyre, por përmendi një aferë të tij me një të afërme, e cila e kishte lënduar Liridonën, megjithëse ajo kishte vendosur vetë ta zgjidhte situatën.
Ademaj deklaroi gjithashtu se punonjësja e morgut i kishte treguar se një ditë para ngjarjes tragjike, Murseli dhe Kokalla kishin qenë aty. Ai përmendi edhe një udhëtim të përbashkët në Budva dy javë para ngjarjes, organizuar nga vetë Liridona.
Fjalët e fëmijëve dhe dhimbja e familjes
Dëshmia u bë edhe më prekëse kur Leonardi përmendi fëmijët e Liridonës. Djali i vogël, vetëm katër vjeç në atë kohë, kishte thënë natën kritike se “mamin e kemi harruar në makinë”. Djali i madh, sipas dëshmisë, kishte pohuar se Naimi ia kishte mbajtur dorën Liridonës në momentin kritik, gjë që, sipas Ademajt, e konfirmon edhe raporti i autopsisë.
“Fëmijët pyesin vazhdimisht për nënën. U mungon pafund dhe kërkojnë të shkojnë të vendosin lule tek varri i saj. Sa i përket babait, nuk e përmendin asnjëherë. Madje, nuk duan të jenë pranë askujt që e përmend”, tha ai.
Lidhje e ngushtë mes të akuzuarve
Ademaj shtoi se Murseli dhe Kokalla kishin pasur një lidhje të ngushtë shoqërore, ndërsa për Granit Plavën nuk kishte njohuri personale. Ai përmendi një informatë që kishte dëgjuar nga një i afërm, se Kokalla dhe Plava ishin parë duke numëruar para në një kafene në Cermjan pas vrasjes.
Në përfundim, ai shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e motrës dhe tha se ajo kishte qenë një vajzë shembullore, e përkushtuar ndaj familjes. “Pse babi nuk e ndihmoi mamin, pse babi i ndihmoi hajnit ta vrasë nënën? – janë fjalët që fëmijët e saj na i thonë çdo ditë”, përfundoi Ademaj mes lotësh.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa publiku dhe familjarët kërkojnë drejtësi për Liridona Ademajn, viktimë e një vrasjeje që ka tronditur mbarë opinionin publik.