Sport

Leon Avdullahu zgjedh Kosovën, Foda: “Jemi shumë të gëzuar që e kemi në ekip”

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mirëpritur mesfushorin e ri Leon Avdullahu, i cili ka vendosur t’i bashkohet Dardanëve, duke hequr dorë nga mundësia për të përfaqësuar Zvicrën.

Avdullahu, i cili së fundmi është transferuar te Hoffenheimi dhe po spikat me paraqitjet e tij në Bundesliga, ka zbarkuar sot në mëngjes në Kosovë.

“Për Leon Avdullahun jemi të gëzuar dhe shumë të kënaqur që ka vendosur të luajë për Kosovën. Ai ka kaluar te Hoffenheimi, është integruar shpejt dhe po tregohet i suksesshëm në Bundesligë. Kemi biseduar shumë me të në muajt e fundit dhe e kam parë që ka personalitet shumë të mirë. Është lojtar specifik, sidomos në mesfushë, dhe mund të luajë kudo që do ta vendosim. Jemi të lumtur që e kemi tani në ekip”, tha Foda në konferencë për shtyp.

Ky vendim i 19-vjeçarit shihet si një përforcim i rëndësishëm për Kombëtaren e Kosovës, e cila po përgatitet për sfidat e radhës kualifikuese.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button