LeBron James kërkon barazi pagash mes NBA-së dhe WNBA-së: “E duam lojën e vajzave!”

Ylli i LA Lakers, LeBron James, ka reaguar ashpër ndaj hendekut të madh të pagave mes basketbollistëve të NBA-së dhe atyre të WNBA-së, duke u bërë sërish zëri i barazisë në sport.
Deklaratat e tij vijnë pasi ylli i ri i WNBA-së, Angel Reese, zbuloi se mezi po arrin të mbulojë jetesën me pagën e saj vjetore prej 73 mijë dollarësh, ndërkohë që vetëm qiraja i kushton 96 mijë në vit. Ajo dhe bashkëlojtaret e saj u paraqitën në ndeshjen All-Star me bluza të zeza ku shkruhej: “Na paguani atë që na detyroheni”, duke rikthyer në qendër të debatit publik pabarazinë gjinore në paga.
Reese tha se është e detyruar të mbështetet te sponsorët dhe pjesëmarrja në ligën alternative “Unrivaled”, për të siguruar të ardhura të mjaftueshme.
LeBron James, i njohur për aktivizmin e tij, i ka qëndruar besnik mbështetjes për basketbollin e femrave. Që në vitin 2017, ai kishte shfaqur mesazhin “barazi” në atlete, ndërsa së fundmi, në një intervistë për ESPN, ai quajti Reese dhe Caitlin Clark “ikona” të vërteta.
“Nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim të madh mes basketbollit të meshkujve dhe atij të femrave në kolegj,” tha ai, duke vënë në pah standardet e dyfishta që ekzistojnë në sport.
James ka qenë kritik edhe ndaj faktit që shumë lojtare të WNBA-së, përfshirë Brittney Griner, detyrohen të luajnë jashtë vendit për paga më të larta.
“Për fat të keq, disa prej tyre shkojnë atje dhe nuk kthehen më. Thonë: ‘Më mungon gjithçka që kam në Amerikë, por me këtë rritje page këtu, nuk po kthehem më në këtë m…’”, tha ai në emisionin The Shop.
Duke e përmbyllur mesazhin e tij me një thirrje për ndryshim, LeBron shtoi:
“Ti mund të ndërtosh një trashëgimi të vërtetë ikonike në një program kolegji. Dhe kjo është ajo që të gjithë ne e duam. E duam lojën e vajzave pikërisht për atë moment kur shohim të lulëzojnë.”
Përballja me pabarazinë e pagave mbetet sfidë serioze për WNBA-në, por me figura si LeBron që japin mbështetje të hapur, zëri për barazi vetëm po forcohet.