LDK dorëzon lëndë në Gjykatën Kushtetuese – nuk zbardh detaje për përmbajtjen

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se sot, në orën 14:30, do të dorëzojë një lëndë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media të shpërndarë nga Zyra për Media e kësaj partie.
Në njoftim nuk janë dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e kësaj lënde, por ky veprim i LDK-së vjen në një kohë të tensionuar politike, kur vendi ndodhet në një bllokadë institucionale dhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka sjellë qartësi për zgjidhjen e saj.
“Sot, në orën 14:30, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon lëndë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Për detaje ju ftojmë ta përcjellni këtë ngjarje”, thuhet shkurt në njoftimin e partisë së drejtuar nga Lumir Abdixhiku.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deponuar një lëndë në Kushtetuese, duke parashtruar katër pyetje në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit.
Përballë një situate të ndërlikuar kushtetuese dhe politike, mbetet të shihet nëse veprimet e fundit të partive opozitare do të ndihmojnë në zhbllokimin e proceseve institucionale në vend.