LDK dorëzon aktgjykimin e Supremes në Prokurori: Mustafa: U konfirmua se Kurti dhe ministrat e tij shkelën Kushtetutën

Deputeti dhe zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, deklaroi sot se partia e tij i ka dorëzuar Prokurorisë Speciale aktgjykimin e fundit të Gjykatës Supreme, i cili, sipas tij, konfirmon pretendimet e LDK-së për shkelje kushtetuese nga ana e ish-kryeministrit Albin Kurti dhe disa ish-ministra të kabinetit të tij.
Në një deklaratë për media para Prokurorisë Speciale, Mustafa tha se ky aktgjykim është bashkangjitur në dosjen e kallëzimeve penale që LDK ka dorëzuar më 17 maj të këtij viti ndaj Kurtit dhe 16 ish-anëtarëve të kabinetit të tij.
“Gjykata Supreme dje nxori një aktgjykim që konfirmon atë që LDK ka thënë tash e disa muaj – se një deputet i certifikuar nuk mund të ushtrojë njëkohësisht edhe funksion në ekzekutiv, si kryeministër apo ministër në detyrë,” tha Mustafa.
Ai theksoi se aktgjykimi përforcon bindjen e LDK-së se veprimet e ish-qeverisë përbëjnë shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, dhe shprehu besimin se drejtësia do të veprojë në përputhje me këtë vendim.
LDK ka ngritur 17 kallëzime penale lidhur me këtë çështje, duke kërkuar hetim penal ndaj Kurtit dhe ministrave të kabinetit të tij që u certifikuan si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mars, por vijuan të ushtrojnë funksione ekzekutive.
Prokuroria Speciale ende nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me veprimet e mëtejme pas dorëzimit të aktgjykimit të Supremes nga ana e LDK-së.