
Gjatë Kongresit të Partive Popullore Evropiane që u mbajt në Valencia, u zhvillua një takim i rëndësishëm mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, dhe stafit të tij, me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Sali Berisha, dhe kabinetin e tij. Takimi u karakterizua nga një atmosferë tepër miqësore dhe e afërt, duke reflektuar lidhjet e kahershme dhe bashkëpunimin tradicional mes dy partive simotra të qendrës së djathtë në hapësirën shqiptare.
Në qendër të diskutimeve ishin sfidat politike me të cilat përballen Kosova dhe Shqipëria në dy faza të ndryshme të proceseve zgjedhore – Kosova në periudhën paszgjedhore dhe Shqipëria në prag të zgjedhjeve. Të dy liderët ndanë analiza mbi zhvillimet e fundit politike në vendet e tyre, duke theksuar nevojën për qasje të bashkërenduar dhe mbështetje të ndërsjellë në përballimin e sfidave demokratike, si dhe forcimin e institucioneve përfaqësuese dhe demokratike. Si përfundim, u theksua domosdoshmëria për një bashkëpunim më të ngushtë mes LDK-së dhe PD-së, jo vetëm në kuadër të përkatësisë së përbashkët ideologjike dhe anëtarësisë në familjen e Partive Popullore Evropiane, por edhe për shkak të përgjegjësisë historike dhe kombëtare që mbartin. Palët u zotuan të thellojnë koordinimin për interesa të përbashkëta politike, për të forcuar vlerat demokratike dhe për t’u përballur së bashku me sfidat që i presin dy vendet dhe mbarë kombi shqiptar.