LBK kërkon pezullimin urgjent të vendimit për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të kalimit të detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.
Sipas LBK-së, ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me komunitetin e bizneseve dhe pa ndonjë analizë të ndikimit ekonomik. Organizata thekson se një veprim i tillë përbën rrezik serioz për ekonominë vendore dhe është në kundërshtim me interesat strategjike të prodhuesve dhe sektorit privat në vend.
Në reagim thuhet se edhe gjykata kompetente ka urdhëruar pezullimin e këtij vendimi, duke e konsideruar atë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Pavarësisht kësaj, ZRRE po vazhdon me zbatimin e tij, çka LBK e cilëson si këmbëngulje të pakuptimtë dhe të dëmshme.
LBK kërkon që vendimi të rishikohet urgjentisht dhe që të nisë një proces gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e bizneseve dhe partnerëve institucionalë, për të garantuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë në furnizimin me energji.
“Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe një qasje të arsyeshme në raport me një çështje kaq jetike për të ardhmen ekonomike të Kosovës,” përfundon reagimi i LBK-së.