Sport

Lamine Yamal: Nuk krahasohem me Messin, ai është më i miri në histori

Talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, u shfaq para mediave në një konferencë për shtyp përkrah trajnerit Hansi Flick, në prag të gjysmëfinales së parë të Champions League kundër Interit. Katalanasit do të presin gjigantët italianë nesër në stadiumin Montjuïc, në një sfidë që pritet me padurim.

Yamal theksoi dëshirën e madhe të skuadrës për të arritur në finalen e madhe. “Kemi një dëshirë të madhe për të treguar veten dhe për të kaluar në finale,” – tha ai.

I pyetur për rivalët e së nesërmes, Yamal zbuloi se ka një admirim të veçantë për dy nga ‘yjet’ e Interit:

“Më pëlqejnë shumë Barella dhe Lautaro. Kur janë me topin, luajnë shumë mirë, por mbrojnë gjithashtu në mënyrë të shkëlqyer. Janë një skuadër që më pëlqen ta shikoj.”

Pavarësisht se kjo do të jetë hera e tij e parë në një gjysmëfinale të Champions League, 17-vjeçari nuk tregoi shenja frike apo presioni.

“Nuk kam ndier frikë, por kam motivim para ndeshjes. Frikën e lashë pas në parkun e Matarós shumë kohë më parë. Nuk do ta quaja presion. Dal në fushë për ta shijuar. Futbolli nuk njeh moshë – nëse je gati, je gati. Gjithçka varet nga cilësia dhe mentaliteti i individit. Ne kemi një skuadër të re, por jemi në nivel shumë të lartë.”

Ai ndau edhe një mesazh personal për mënyrën se si dëshiron të kujtohet si futbollist:

“Dua të më kujtojnë si lojtar dhe si njeri dhe të jem gjithmonë i sjellshëm – kështu më kanë mësuar prindërit në shtëpi.”

Lidhur me krahasimet që i bëhen shpesh me Lionel Messin – legjendën e Barcelonës që së fundmi ka folur me superlativa për të – Yamal i hodhi poshtë me qetësi:

“Nuk do të krahasohem me të apo me askënd tjetër. Këto i lë për shtypin. Unë mendoj vetëm për t’u përmirësuar çdo ditë. Këto krahasime nuk kanë kuptim, sidomos kur bëhet fjalë për Messin, që është më i miri në histori. Nuk kam folur me të.”

Megjithatë, Yamal nuk e fshehu vetëbesimin për rrugën që ka ndjekur deri tani:

“Pak lojtarë në moshën time kanë luajtur kaq shumë ndeshje për Barcelonën. Unë përqendrohem te kjo gjë. E vlerësoj shumë që kam mentalitetin për të qenë gjithmonë i motivuar, konsistencën që kam dhe nivelin që kam arritur në këtë moshë. Nuk është diçka që mund ta bëjë çdokush.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button