Sport

Laçi dhe Shehu optimistë para sfidës ndaj Serbisë: “Ëndrra për Botërorin është gjallë”

Në prag të sfidës kualifikuese ndaj Serbisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror 2026, mesfushorët e Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi dhe Juljan Shehu, dolën sot në një konferencë për media në stadiumin “Air Albania”.
Të dy futbollistët theksuan rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke u shprehur se ekipi është plotësisht i fokusuar dhe i motivuar për të marrë një rezultat pozitiv.

Juljan Shehu tha se, pavarësisht presionit që e shoqëron këtë përballje, skuadra është gati të japë maksimumin.

“Ne jemi futbollistë profesionistë. Presioni është diçka normale për ne. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, por do të shkojmë aty për të marrë maksimumin dhe për të arritur tre pikët,” – tha Shehu.

Duke folur për rëndësinë e përballjes ndaj Serbisë, Shehu e cilësoi atë si “decizive” për ëndrrën e Botërorit:

“Kjo ndeshje mund të vendosë vazhdimësinë e objektivit tonë për t’u kualifikuar në Botëror. Është një sfidë vendimtare dhe jemi të përqendruar për të dhënë më të mirën.”

Mesfushori shtoi se konkurrenca brenda ekipit është e shëndetshme dhe se çdo lojtar është aty për të ndihmuar Kombëtaren:

“Në Kombëtare jemi të gjithë për të bërë më të mirën, pavarësisht se kush e nis si titullar. Me Ramadanin jemi shokë dhe mbështesim njëri-tjetrin.”

Nga ana tjetër, Qazim Laçi u shpreh se skuadra është e vetëdijshme për vështirësinë e ndeshjes, por edhe për përgjegjësinë që mbart fanella kuqezi.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe vendimtare. Jemi profesionistë, jemi mësuar me presionin. Objektivi është i qartë – të marrim tri pikët për ëndrrën tonë Botërorit,” – u shpreh Laçi.

Ai theksoi se qetësia dhe përqendrimi do të jenë elementët kyç për suksesin:

“Do të ketë emocione, por si profesionistë duhet të jemi të qetë dhe të përqendruar. Detajet do të bëjnë diferencën.”

Në lidhje me kundërshtarin, Laçi vlerësoi Serbinë si një ekip të fortë, por theksoi se Shqipëria ka treguar se mund të përballet denjësisht:

“Në takimin e parë në ‘Air Albania’ treguam se mund të fitonim. Tani duhet të jemi të fokusuar dhe të futemi që në minutën e parë për të marrë tre pikët.”

Pavarësisht se ndeshja do të zhvillohet në një stadium me kapacitet të reduktuar, Laçi tha se skuadra do të kërkojë vetëm fitoren:

“E dimë që Serbia luan në shtëpi, por ne do të përgatitemi për të marrë tri pikët. Kjo ndeshje është vendimtare për ëndrrën e Botërorit.”

Kombëtarja shqiptare do të përballet me Serbinë në një sfidë të ngarkuar emocionalisht, ku fitorja do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit historik në Kampionatin Botëror 2026.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button