Kosova

“Ky është një cirk politik” – Ambasadori gjerman shpërthen ndaj ngërçit në Kosovë: 47 herë dështim për Kuvendin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ashpër ndaj situatës së tensionuar politike në vend, duke e cilësuar si “cirk” dështimin e 47-të me radhë për themelimin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për televizionin Dukagjini, Rohde u shpreh se ky ngërç po shkakton pasoja serioze ekonomike për qytetarët e vendit, për shkak të mungesës së funksionimit institucional.

“Mund ta përshkruaj me një fjalë, apo siç e quanin edhe parlamentarët sot: ky është një cirk, një ngërç politik. Për fat të keq nuk kemi marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara, nuk kemi shpenzime kapitale të shpenzuara, tenderët janë të bllokuar – dhe kjo ka pasoja ekonomike edhe për popullatën”, tha ai.

Ambasadori gjerman konfirmoi se ka zhvilluar takime me të gjithë liderët politikë në përpjekje për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, por ka hasur në mungesë të vullnetit për kompromis mes palëve.

“Kam folur me të gjithë liderët politikë, javën e kaluar dhe dje, dhe për fat të keq të gjithë po flasin keq për njëri-tjetrin. Mendoj që kjo është shumë fatkeqe, që kemi këtë krizë politike”, theksoi ai.

Rohde bëri thirrje për një zgjidhje të shpejtë, duke përmendur se ka pasur propozime konkrete nga të dyja palët – opozita që ka kërkuar ndërrimin e kandidatit dhe pozita që ka propozuar votim të fshehtë – por mungesa e kompromisit mbetet pengesë kryesore.

“Të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë, problemi është te kompromisi. Pse të mos ndërrohet kandidati dhe të kemi votim të fshehtë? Nuk është mirë për Kosovën që kjo të vazhdojë kështu”, përfundoi ambasadori.

Deklarata e ambasadorit gjerman vjen në një kohë kur bllokimi i procesit politik ka shkaktuar zemërim publik dhe shqetësime nga komuniteti ndërkombëtar për funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button