Kuvendi i Maqedonisë së Veriut hedh poshtë interpelancën ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë interpelancën ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të ngritur nga Partia e Majtë, e cila u bazua në disa akuza, përfshirë tragjedinë e Koçanit. Interpelanca, e cila u votua dje pasdite, nuk mori mbështetje nga shumica e deputetëve, ndërsa 20 deputetë e votuan pro, kryesisht nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM).
Debati në Kuvend u shoqërua me akuza të ndërsjella për dështime institucionale dhe paaftësi në përballimin e sfidave të sigurisë. Partia e Majtë akuzoi ministrin Toshkovski për moskryerjen siç duhet të detyrës dhe veprime jo-profesionale, që sipas tyre çuan në skandale dhe veprime të paligjshme brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga ana e tij, ministri Toshkovski e mohoi çdo përgjegjësi dhe u shpreh i gatshëm të përballet me të vërtetën, duke theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka bërë asnjë lëshim në lidhje me tragjedinë në Koçan. Ai u shpreh se institucionet po vazhdojnë të marrin masa për rastet e hapura dhe hodhi poshtë pretendimet për paragjykime etnike, duke akuzuar disa struktura të BDI dhe LSDM për përpjekje për të destabilizuar vendin.
Tragjedia e Koçanit ndodhi më 16 mars, kur një zjarr shpërtheu në një lokal nate në qytet, duke marrë jetën e 62 personave dhe duke lënë të lënduar rreth 200 të tjerë. Hetimet lidhur me incidentin janë ende në vazhdim, duke përfshirë 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është në paraburgim për rolin e tij në ngjarje.