Kosova

Kuvendi i Kosovës mban sot seancën konstituive, në pritje të zgjedhjes së kryeparlamentarit

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot (15 prill) seancën konstituive, e cila do të nisë në orën 10:00. Seanca është thirrur më 1 prill nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në këtë seancë nuk do të ketë debat parlamentar. Fillimisht do të zgjidhen anëtarët e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Pas verifikimit të mandatit të deputetëve dhe kuorumit, ata do të bëjnë betimin solemn, për të kaluar më pas në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – një pozitë që i takon Lëvizjes Vetëvendosje si partia fituese me 48 ulëse.

Për t’u zgjedhur kryetari i Kuvendit kërkohen të paktën 61 vota. Deri më tani, LVV nuk ka zbuluar emrin e kandidatit të saj për këtë post dhe ende nuk është e qartë nëse ka siguruar shumicën e nevojshme.

LVV ka sinjalizuar se i nevojiten edhe dy vota shtesë për të arritur shumicën, ndërkohë që Partia Demokratike e Kosovës, me 24 ulëse, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim pa një marrëveshje të qëndrueshme politike. Lidhja Demokratike e Kosovës (20 ulëse) nuk ka dhënë një qëndrim të prerë, por ka theksuar se çdo kandidat pa 61 vota nuk duhet të marrë drejtimin e Kuvendit.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerja e saj, Nisma Socialdemokrate – që bashkë numërojnë tetë ulëse – është dhënë një mbështetje “në parim” për kandidatin e propozuar nga Vetëvendosje. Ndërkohë, nga komunitetet joshumicë joserbe janë siguruar shtatë vota për formimin e institucioneve të reja, sipas Elbert Krasniqit të IRDK-së.

Në rast se nuk arrihet të zgjidhet kryeparlamentari, nuk mund të zgjidhen as nënkryetarët, dhe kështu Kuvendi nuk mund të konstituohet. Sipas rregullores, çdo ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë. Nëse kjo afat nuk respektohet, mund të ketë pasoja ligjore dhe sfida në Gjykatën Kushtetuese.

Një tjetër skenar i mundshëm është kontestimi i mandateve të deputetëve që ende nuk kanë dhënë dorëheqje nga pozitat ekzekutive, gjë që mund të bllokojë betimin dhe të gjithë procesin e konstituimit të Kuvendit.

Ekspertët paralajmërojnë se moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit mund të çojë në zgjedhje të reja dhe paqëndrueshmëri politike. “Ky është një moment testimi për klasën politike, për të treguar nëse është e gatshme të veprojë me përgjegjësi në interes të vendit”, tha Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës për Politika të Ballkanit në Evropë për Radion Evropa e Lirë.

Nëse sot zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button