Kosova

Kuvendi i Kosovës drejt përpjekjes së dhjetë për konstituim – Albulena Haxhiu ende pa votat e nevojshme

Sot, më 3 maj, nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës pritet të zhvillojë përpjekjen e dhjetë për t’u konstituuar, ndërsa mbetet pezull çështja e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar gjashtë herë radhazi të sigurojë shumicën e nevojshme të votave.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka sinjalizuar përpjekje për të gjetur një kandidat më unifikues. “Kam dëgjuar që ka përpjekje për ta ndërruar kandidatin, për ta vendosur një kandidat më unifikues”, tha ai para hyrjes në seancë, duke lënë të hapur mundësinë për të mbështetur Glauk Konjufcën nëse ai propozohet.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës vijon të qëndrojë kundër kandidaturës së Haxhiut. Deputeti Rashit Qalaj deklaroi se “nuk ka votë për një njeri që nuk është dinjitoz për pozitën e kryetarit të Kuvendit” dhe përjashtoi çdo kompromis, përfshirë edhe votimin e fshehtë.

E njëjta linjë qëndrimi vjen edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetja Hykmete Bajrami theksoi se LDK-ja nuk do të ndryshojë pozicion dhe kundërshtoi çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit në këtë fazë të procesit.

Përkundër kësaj bllokade, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, shprehu optimizëm se opozita mund të rishqyrtojë qëndrimin dhe t’i japë fund ngërçit institucional.

Ndërkohë, Haradinaj paralajmëroi kallëzime penale ndaj anëtarëve të qeverisë që, sipas tij, po ushtrojnë funksione të dyfishta në kundërshtim me ligjin – një qëndrim që përkon edhe me paralajmërimet e LDK-së.

Seanca konstituive e sotme shihet si një moment vendimtar për të ardhmen e Kuvendit dhe funksionimin institucional të vendit. Rritet presioni për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i japë fund krizës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button