Kuvendi dështon sërish të konstituohet – Seanca e 13-të përfundon pa sukses

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të 13-tën herë me radhë të konstituohet, pas ndërprerjes së seancës së sotme nga kryesuesi Avni Degari. Përpjekja e tij për të ngritur komisionin për votim të fshehtë nuk gjeti mbështetjen e nevojshme në sallë.
Partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan të caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision dhe nuk e votuan propozimin, i cili mori vetëm 56 vota “për” – shumë më pak se shumica e kërkuar.
Tensionet u rritën më tej kur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, doli në foltore për të mbajtur fjalën e saj, por iu ndërpre mikrofoni nga kryesuesi, me arsyetimin se nuk lejohet debat për këtë çështje.
Seanca e radhës është caktuar për të dielën, më 11 maj, në ora 10:00, por mbetet e paqartë nëse do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimet e partive politike.