Kosova

Kushtet e vështira në Pallatin e Drejtësisë – KPK dhe ZKPSH kërkojnë masa urgjente për përmirësimin e ambientit të punës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë ngritur alarmin për kushtet e papërshtatshme të punës në Pallatin e Drejtësisë, për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes në ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Sipas një komunikate të përbashkët, temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin dhe mungesa e klimës po e vështirësojnë tej mase mbarëvajtjen e punës brenda këtyre institucioneve. “Temperaturat në zyrat e këtyre prokurorive po arrijnë mbi 35°C, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punës dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve”, thuhet në reagimin e tyre.

KPK dhe ZKPSH u kanë bërë thirrje Kryeprokurorëve që, brenda kompetencave të tyre, të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e stafit, përfshirë edhe mundësinë e reduktimit të orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve.

Institucionet prokuroriale kanë theksuar gjithashtu se kërkesat për rregullimin e sistemit të ftohjes janë përsëritur ndër vite, por pa asnjë përgjigje nga autoritetet përkatëse. Ata kanë theksuar se objekti i Pallatit të Drejtësisë është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila, sipas tyre, ka dështuar të sigurojë mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e nevojshëm.

“Të gjendur përballë kësaj situate të papranueshme, i bëjmë thirrje të qartë dhe të drejtpërdrejtë Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndërmarrë menjëherë masa konkrete dhe efektive për përmirësimin e kushteve elementare të punës në këtë objekt”, përfundon reagimi.

Situata në Pallatin e Drejtësisë ngre shqetësime serioze jo vetëm për mirëqenien e punonjësve të drejtësisë, por edhe për funksionimin e sistemit prokurorial në tërësi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button