Kurti udhëton në Bosnje për 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot drejt Bosnjës dhe Hercegovinës për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia zhvillohet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari.
Kurti udhëheq delegacionin shtetëror të Kosovës, në përbërje të të cilit janë edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministrja e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, përfaqësuese e komunitetit boshnjak në Kosovë.
Pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në këtë ceremoni vjen një vit pasi Qeveria e Kosovës e shpalli 11 korrikun ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë, në nderim të mbi 8 mijë civilëve boshnjakë të vrarë në korrik të vitit 1995.