Kosova

Kurti u bën thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Serbi: “Ekziston rrezik për ndalime arbitrare”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut në rritje për provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe.

Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se institucionet e sigurisë kanë indikacione të qarta se qytetarët e Kosovës mund të përballen me trajtim të padrejtë dhe veprime hakmarrëse në territorin serb. “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe të qytetarëve tanë,” theksoi Kurti.

Ai gjithashtu reagoi ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilat i cilësoi si “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme”. Vuçiq një ditë më parë kishte paralajmëruar “përgjigje të ashpër” ndaj ndalimit dhe paraburgosjes së Igor Popoviqit – ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë – nga autoritetet e Kosovës.

Ky zhvillim ndodh në një periudhë të tensionuar të marrëdhënieve mes dy vendeve, me shqetësime në rritje për sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin rajonal. Autoritetet kosovare thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar rendin dhe sigurinë në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button